12.5 C
Tirana
Saturday, February 14, 2026

Metani vizitë zyrtare në Shkup: Shkëmbim i përvojave dhe ekspertizës, në funksion të konsolidimit të shtetit të së drejtës

Inspektori i Lartë i Drejtësisë, z. Artur Metani, së bashku me një delegacion të zyrës së ILD-së ishte për një vizitë zyrtare në Shkup, ku zhvilloi takime pune me përfaqësues të Këshillit të Prokurorëve Publikë, Këshillit Gjyqësor, Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit dhe Gjykatës Supreme të Republikës së Maqedonisë së Veriut.

Gjatë këtyre takimeve u theksua rëndësia e angazhimit të përbashkët në konferencën rajonale “Shërbimet e inspektimit të drejtësisë dhe sfidat e integrimit”, e mbajtur në Tiranë më 25–26 shtator 2025, me mbështetjen e OSBE-së. Konferenca u vlerësua si një hap i rëndësishëm drejt forcimit të bashkëpunimit ndërinstitucional për përballimin e sfidave profesionale, me qëllim rritjen e rolit të institucioneve të drejtësisë në garantimin e integritetit të sistemit gjyqësor dhe në rritjen e besimit të publikut.

Në Këshillin e Prokurorëve Publikë, z. Metani u prit nga Kryetari i Këshillit, z. Bashkim Besimi, nënkryetarja znj. Marjana Ilieska dhe anëtari i Këshillit, z. Ermon Neziri. Bisedimet u përqendruan në mundësitë konkrete për thellimin e bashkëpunimit, përmes shkëmbimit të përvojave dhe ekspertizës, si dhe forcimit të kapaciteteve njerëzore, në funksion të konsolidimit të shtetit të së drejtës.

Më tej, z. Metani dhe delegacioni i ILD-së zhvilluan një takim në Këshillin Gjyqësor të Republikës së Maqedonisë së Veriut, ku u pritën nga Kryetari, z. Aleksandar Kambovski, si dhe anëtarë të Këshillit.

Gjatë takimit, u vlerësua organizimi i konferencës rajonale në Tiranë si një përvojë e suksesshme që meriton të vijojë edhe në të ardhmen. Nga ana e tij, z. Metani iu përgjigj interesimit të anëtarëve të Këshillit, duke ofruar sqarime mbi aspekte të veçanta të veprimtarisë së ILD-së në tërësi, si dhe mbi procedurat e standardet që ndiqen në procesin disiplinor në veçanti.

Në takimin me Kryetarin e Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit, z. Adem Chuchulj, të cilin e uroi për zgjedhjen në krye të këtij institucioni, z. Metani theksoi rëndësinë e forcimit të bashkëpunimit ndërinstitucional në funksion të rritjes së integritetit dhe transparencës në sistemin e drejtësisë.

Gjithashtu, delegacioni i ILD-së zhvilloi një takim edhe me Kryetarin e Gjykatës Supreme të Republikës së Maqedonisë së Veriut, z. Afrim Fidani, ku u diskutua mbi sfidat e përbashkëta institucionale dhe mundësitë për thellimin e bashkëpunimit profesional.

“Komunikimi efektiv, shkëmbimi i përvojave dhe trajtimi i hapur i sfidave profesionale forcojnë ndjeshëm rolin e institucioneve të drejtësisë në mbrojtjen e integritetit të sistemit gjyqësor dhe në rritjen e besimit të publikut. Për më tepër, këto përpjekje janë thelbësore për mbështetjen e procesit të vazhdueshëm të integrimit në Bashkimin Evropian”, u shpreh z. Metani. Pjesë e delegacionit të ILD-së ishin edhe përfaqësues nga Prezenca e OSBE-së në Shqipëri, znj. Luljeta Krasniqi, si dhe nga Misioni i OSBE-së në Shkup, z. Arben Ajrulai.

të ngjashme

- Advertisement -spot_img

Më të lexuarat