12.5 C
Tirana
Monday, February 9, 2026

A do ketë zgjedhje të reja në Rrogozhinë? Apeli i Posaçëm lë në fuqi dënimin me 1 vit burg për korrupsion zgjedhor kryebashkiakun Memolla

Apeli i Posaçëm ka konfirmuar këtë të hënë, dënimin me 1 vit burg për kryebashkiakun socialist të Rrogozhinës Edison Memolla, i akuzuar për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni aktiv në zgjedhje” kryer në bashkëpunim.

Memolla u shpall fajtor dhe u dënua nga Gjykata e Posaçme (GJKKO) me 1 vit burg, vendim të cilin kryebashkiaku socialist e kishte ankimuar në Apel.

Apeli ka rrëzuar ankimimin dhe ka konfirmuar dënimin me burg, ndërsa tashmë pritet që Prokuroria e Posaçme, SPAK të përgatisë urdhrin e ekzekutimit për të dërguar kryebashkiakun në qeli.

“Në përfundim, Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar vendosi:

Lënien në fuqi të vendimit nr. 8, datë 24.01.2025 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar. Shpenzimet procedurale u ngarkohen solidarisht të pandehurve. Kundër këtij vendimi mund të ushtrohet rekurs brenda 45 ditëve në Gjykatën e Lartë, duke nisur ky afat nga dita e nesërme e njoftimit të vendimit të arsyetuar”,  thuhet në njoftimin e Apelit.

Ndërkohë nga ky moment bashkia e Rrogozhinës do të ngelet pa kryetar dhe sipas rregullit duhet të shkojë në zgjedhje të parakohshme.

Po ashtu Memollës do t’i ndalohet ushtrimi i funksioneve publike për 5 vite.

të ngjashme

- Advertisement -spot_img

Më të lexuarat