Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Holta Zaçaj, ka dhënë një mesazh të qartë këtë të hënë gjatë ceremonisë së prezantimit të “Udhërrëfyesit për Jurisprudencën e Gjykatës Kushtetuese, Vëllimi II”, ku të pranishëm ishin gjithashtu kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali, dhe ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, Ambasadori i BE-së në vendin tonë, Silvio Gonzato, si dhe faktorë të tjerë politik dhe juridik.
Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Zaçaj ju drejtua drejtpërdrejtë Kryetares së Kuvendit Elisa Spiropali, ku i tha se vendimet e Gjykatës Kushtetuese duhen zbatuar. Ajo paralajmëroi se çdo tendencë për të anashkaluar vendimet e saj cenon besimin publik në drejtësi dhe rrezikon themelet e qeverisjes demokratike.
“Mos të harrojmë se, vendimet e Gjykatës Kushtetuese nuk janë as këshilluese, as opsionale për t’u zbatuar, ato janë të detyrueshme dhe ekzekutimi i tyre përbën një detyrim kushtetues për të gjitha pushtetet. Këto vendime kanë udhëhequr arsyetimin e sotëm ligjor e gjyqësor, por Gjykata, në interpretimin e Kushtetutës si një ‘instrument i gjallë’, kujdeset që teksti i saj të jetë i aftë të përshtatet me sfidat dhe zhvillimet e reja, duke zhvilluar kështu edhe konceptet e saj. Përpjekjet për të kundërshtuar apo për të vënë në diskutim ekzekutimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese jo vetëm minojnë besimin e publikut në sistemin e drejtësisë, por edhe destabilizojnë qeverisjen demokratike,” tha Zaçaj.
Spiropali, e cila dukshëm u kap e pa papërgatitur për “tërheqjen e veshit” që i bëri kryegjyqtarja, tha se vendimet e Kushtetueses duhet të jenë më të qarta. Tërheqja e vëmendjes nga ana e Zaçajt vjen pas disa rasteve të mos zbatimit të vendimeve nga Kuvendi të vendimeve të Kushtetueses. Rasti që ka pasur më tepër vëmendje është vendimi i Kushtetuese për rrëzimin e mandatit të deputetes Olta Xhaçka.
Gjatë jalës së tij, Gonato i dha një ‘shuplakë’ qeverisë Rama teksa u bëri thirrje që të sigurojnë zbatimin e plotë të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese dhe të mbrojnë pavarësinë e saj në çdo nivel.
“Mund ta shohim procesin e integrimit në BE jo si një ushtrim formal por si një mundësi vërtetë transformuese, për të arritur më shumë dhe për të ruajtur standardet. Dhe çdo përpjekje që bëjnë gjykatat kontribuojnë për këtë vizion. Falënderoj GJK dhe udhëheqjen e saj për rolin aktiv në procesin e integrimit të Shqipërisë, për përpjekjet e saj të vazhdueshme për të sqaruar interpretimin kushtetues dhe për faktin që kur trajton çështje të ndërlikuara mbetet mendje hapur për t’iu referuar të drejtës së BE-së dhe parimeve ndërkombëtare. Inkurajoj të gjithë aktorët dhe institucionet qe të sigurojnë zbatimin e plotë të vendimeve të gjykatës dhe të mbrojnë pavarësinë e saj në çdo nivel.”- tha Gonzato.