Mënyra se si ecim është tregues i mënyrës se si mendojmë, si ndiejmë dhe, në fund të fundit, si e përballojmë jetën.
Sikurse shpjegon psikologia Leticia Martín Enhuto për revistën CuerpoMente, ecja është shumë më tepër se një veprim mekanik, ajo pasqyron botën tonë të brendshme dhe mënyrën se si menaxhojmë emocionet dhe mendimet.
Sipas saj, personat që ecin me ritëm të shpejtë zakonisht karakterizohen nga energji e lartë, vendosmëri dhe orientim i qartë drejt objektivave të tyre. Nuk janë njerëz që lënë gjërat në dorë të fatit, përkundrazi, veprojnë me plan dhe e shfrytëzojnë kohën në maksimum.
“Këta janë njerëz që nuk e durojnë dot humbjen e kohës. Jetojnë me një ritëm të brendshëm që i shtyn vazhdimisht përpara”, thekson Martín Enhuto.
Shpejtësia e ecjes lidhet gjithashtu me ekstroversionin dhe aftësinë për t’u përshtatur. Këta individë janë shoqërorë, aktivë dhe shpesh të hapur ndaj së resë dhe të panjohurës. Dallohen për vendosmërinë e tyre përballë të papriturave dhe priren të transmetojnë vetëbesim.
“Ecja e shpejtë mund të japë ndjesinë e vetëkontrollit dhe udhëheqjes, si në jetën personale, ashtu edhe në atë profesionale”, shton psikologia.
Megjithatë, nuk është gjithmonë diçka pozitive. Ecja e shpejtë mund të fshehë edhe ankth. Për disa njerëz, ky lloj ecjeje është rezultat i një shqetësimi të brendshëm dhe mosdurimi ndaj pritjes apo vonesave. Ndjesia se ‘koha nuk mjafton kurrë’ është e zakonshme te ata që kanë shumë angazhime dhe përjetojnë stres të madh.
Ky presion psikologjik mund të çojë në lodhje të tepërt, madje edhe në një nevojë obsesive për produktivitet të vazhdueshëm.
Psikologia thekson gjithashtu se në disa raste, kjo lëvizje e pandërprerë mund të shërbejë si një mekanizëm shmangieje. Ka njerëz që nuk e përballojnë dot qetësinë, sepse ajo i përball me emocione ose mendime që i shqetësojnë. Për ta, ecja e shpejtë nuk është shenjë vetëbesimi, por një mënyrë për t’i shpëtuar botës së tyre të brendshme.