Si sot 35 vite më parë filloi fillimi i fundit të diktaturës Hǰoxhiste, ku rreth 5 mijë qytetarë sfiduan diktaturën dhe hynë brenda ambasadave, ngjarje kjo që tronditi ndoshta më shumë se çdo gjë tjetër regjimin komunist. Vrasja e frikës, sikurse njihet 2 korriku i vitit 1990, për shqiptarët është “dita e rrëzimit të murit të tyre të Berlinit”.

Arjan Bejko, një prej pjesëmarrësve në ngjarjen e 2 korrikut në Ambasadën Gjermane, rrëfen në një intervistë ditët që ndezën zjarrin e demokracisë dhe shkëputjen nga epoka e errët e komunizmit. Bejko kujton ditët e qëndrimit në Ambasadë dhe udhëtimin drejt Gjermanisë. Ai rrëfen ëndrrat dhe frikën që pati pas futjes në Ambasadën gjermane më 2 korrik. Bejko kujton se kur u fut në truallin e Ambasadës Gjermane e ndjeu se ishte ndarë përfundimisht me të kaluarën e errët të regjimit diktatorial. Bejko kujton se regjimi komunist ato ditë i ndërpreu Ambasadës Gjermane furnizimin me ujë dhe pengoi furnizimin e rregullt me ushqime. Bejko kujton se gjatë netëve që qëndruan në Ambasadën Gjermane pati solidaritet dhe vëllazërim të pashembullt. Njerëz të panjohur me njëri-tjetrin ndanin kafshatën së bashku. Burrat dolën vullnetarisht nga dhomat e zyrat ku flinin për t’ua lënë vendin grave dhe fëmijëve deri në ditën e nisjes për në Gjermani. Bejko u shpreh se “pas mbërritjes në Gjermani mendova vetëm një gjë: jam i lirë për të ndjekur çdo pasion dhe dëshirë timen”.
- Si i kujtoni ngjarjet e 2 korrikut?
Ngjarjet e 2 korrikut bashkuan individë, grupime dhe shtresa shoqërore nga më të ndryshmet. Ato ishin shprehje e një pakënaqësie mbarëpopullore, e cila vinte si rrjedhojë e mungesës së lirisë së mendimit dhe veprimit. Shumica e të rinjve të asaj kohe, të pakënaqur me sistemin, kërkonin një rrugëdalje nga shtypja dhe mjerimi ekonomik. Atij sistemi i kishte ardhur fundi, sepse një sistem që keqtrajton se gjysmën e popullsisë nuk e ka më të gjatë. Pra, mund të thuhet se hyrja në ambasada nuk ishte diçka spontane. Ajo ishte më tepër një mundësi e shfrytëzuar për të diskredituar e përmbysur atë sistem të urryer, i cili ishte ndërtuar mbi një gënjeshtër ideologjike dhe mbahej në këmbë nga frika dhe dhuna. Kjo gënjeshtër mbijetoi 46 vjet, duke hedhur poshtë shprehjen e mirënjohur se gënjeshtra i ka këmbët e shkurtra. Në kundërshtim me propagandën e kohës, personat që kërkuan mbrojtje në ambasadat e huaja ishin pjesa më e shëndetshme dhe më e persekutuar e atij sistemi korruptues dhe të korruptuar. Krahas punëtorëve të thjeshtë dhe disa të papunëve, aty kishte intelektualë të mirëfilltë, të burgosur politikë, familjarë të rregullt, nxënës shkollash dhe studentë. Unë u bashkova me këtë lëvizje, e cila ishte shkëndija që ndezi zjarrin e demokracisë, duke u futur bashkë me bashkëshorten dhe djalin dyvjeçar në Ambasadën e Republikës Federale të Gjermanisë.
- Çfarë përjetuat brenda mureve të Ambasadës Gjermane?
Kur u futëm në truallin e Ambasadës, e ndjemë se ishim ndarë përfundimisht me të kaluarën e errët, cilido që të ishte fati ynë. Të mbushur me ëndrra, shpresa, iluzione, por natyrshëm edhe me frikë sepse e dinim se sa i aftë ishte ai sistem të hakmerrej, mendonim se i gjithë shtypi perëndimor ishte i interesuar për fatin tonë dhe se ngjarja jonë përbënte lajmin e ditës. Falë njohurive të thella në gjuhën angleze, të cilën e kisha mësuar me pasion, pasi doja të dëgjoja në stacionet e huaja më shumë rreth të vërtetave që na mbaheshin fshehur, kisha mundësi të luaja rolin e përkthyesit mes të strehuarve në Ambasadë, personelit gjerman dhe shtypit të huaj. Duke dashur ta informoja sa më mirë opinionin e huaj për gjendjen tonë, iu afrova një gazetari anglez për t’i treguar përjetimet tona, rreth të cilave ai mund të shkruante diçka tek gazeta e tij. Por ai me atë buzëqeshjen tipike angleze më tha se momentalisht ishte i interesuar të bënte një fotografi të binjakëve që kishin lindur në Ambasadë. E kuptova që kisha të bëja me një gjahtar sensacionesh dhe desha të largohesha, kur m’u afrua një mesoburrë dhe më tha t’i tregoja gazetarit të huaj se brenda në Ambasadë ndodheshin mbi 50 të burgosur politikë. Unë i shpjegoja atij se ai gazetar kërkonte gjëra të tjera, por burri ngulte këmbë në të tijën. Ndërkohë, gazetari u bë disi kurioz dhe pyeti se çfarë thotë ai burri. Kur unë ia përktheva fjalët e tij, gazetari anglez më tha: “Oh, it’s very interesting”! (Oh, sa interesante!) dhe u largua. I burgosuri politik më tha me një fytyrë tepër të zhgënjyer se iu duk se e dënuan edhe njëherë.
- Cili ishte reagimi i regjimit?
Në situata ekstreme, të jashtëzakonshme, regjimi e tregoi fytyrën e vërtetë. Gjendja e të strehuarve sa vinte e keqësohej. Pushteti i egërsuar nga ato që ndodhnin tejkaloi çdo parashikim. Ambasadës Gjermane iu ndërpre furnizimi me ujë dhe iu pengua furnizimi i rregullt me ushqime. Por ne nuk mund t’ia harrojmë të zotit të shtëpisë ngjitur me Ambasadën, i cili rrezikoi veten e vet duke nxjerrë një zorrë uji nga bahçja e tij për të na dhënë mundësi të njomnim buzët, por edhe Ambasada Gjermane na krijoi mundësinë të mbijetonim duke na furnizuar me ujë të pijshëm nëpërmjet autoboteve. Cilido mund të dëshmojë se brenda Ambasadës, pavarësisht nga disa incidente të lehta, pati solidaritet e vëllazërim të pashembullt. Njerëz të panjohur më njëri-tjetrin ndanin kafshatën së bashku. Burrat dolën vullnetarisht nga dhomat dhe zyrat ku flinin, për t’ua lënë vendin grave dhe fëmijëve.
- Udhëtimi drejt Gjermanisë?
Pas një pritjeje të ankthshme, kur mendonim se ndoshta kishim humbur gjithçka, u lajmëruam se do të largoheshim nga Shqipëria, por ky lajm nuk ishte i mjaftueshëm për të mposhtur atë frikë të vetvetishme dhe të pashpjegueshme që kishte mbërthyer shumë prej nesh. Kur hipëm në autobusa për t’u larguar, një vajzë tetëmbëdhjetë vjeç ia fali pulovrën e saj djalit tim dyvjeçar, pasi ishte ngritur më parë në këmbë për të më liruar vendin, tek më pa me fëmijën në krahë. Përfitoj nga rasti ta falënderoj sërish nga zemra për këtë gjest kaq kuptimplotë. Pas një udhëtimi dy ditor me tragete dhe me tren, mundëm të preknim ëndrrën, të cilës i kishim rendur nga pas. Më në fund kishim mbërritur në një vend të lirë, ku mund të ndiqja pa asnjë pengesë e kufizim plotësimin e ëndrrave dhe zhvillimin e pasioneve dhe aftësive të mia. Atje studiova si korrespondent i gjuhëve të huaja (anglisht, gjermanisht, spanjisht dhe italisht), pasionin tim të vjetër, ku sadisfaksioni i parë qe vlerësimi me notat maksimale në të gjitha lëndët, kur dhe më komunikuan se në pesë vjetët e fundit asnjë i huaj nuk kishte arritur rezultate të tilla.
- Cili është aktiviteti juaj në Gjermani?
Jap mësim gjuhën gjermane për të huajt, në kuadrin e programit qeveritar gjerman për integrimin e të huajve, por edhe për gjermanët që nuk kanë patur mundësi të ndjekin rregullisht shkollën dhe plotësojnë njohuritë e tyre. Njëkohësisht jam marrë me përkthimin e disa autorëve të njohur të letërsisë botërore, si: Gëte, Shiler, Hajne, Shekspir, Edgar Alan Poe dhe Dilan Tomas. Pasioni im për letërsinë më ka nxitur të shkruaj tregime dhe romane të ndryshme, si në gjuhën gjermane, ashtu dhe në gjuhën shqipe. Pjesa më e madhe e shqiptarëve që u larguan atë vit fatndryshues për Shqipërinë janë integruar më së miri në shoqëritë ku shkuan, duke u bërë në këtë mënyrë ambasadorët e parë të vërtetë të vendit të tyre. Megjithëse larg vendit, të gjithë ndjekim me vëmendje zhvillimet në Shqipëri duke shpresuar gjithnjë që ky vend t’i bashkohet përfundimisht familjes së madhe të vlerave evropiane, të cilës gjeografikisht i takon prej mijëra vjetësh.
