Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë kryer një sulm ajror të koordinuar ndaj tre impianteve bërthamore iraniane: Fordow, Natanz dhe Esfahan. Presidenti Trump konfirmoi lajmin përmes rrjetit të tij social Truth, duke deklaruar: “Kemi përfunduar me sukses sulmin ndaj tre objekteve bërthamore. Të gjitha avionët tanë janë larguar nga hapësira ajrore iraniane dhe janë në rrugë të sigurt drejt bazave. Fordow, objekti kryesor, është goditur me një ngarkesë të plotë bombash. Asnjë ushtri tjetër në botë nuk do të kishte mundur ta bënte këtë. Tani është koha për paqe”.
Presidenti amerikan theksoi se ndaj objektit të Fordow, të njohur si “mali bërthamor”, avionët B-2 të Forcave Ajrore Amerikane hodhën bomba “bunker-buster” (sipas CNN 14 të tilla) me peshë 14 ton secila. Ndërkohë, ndaj impianteve të Natanz dhe Esfahan janë përdorur 30 raketa Tomahawk, të lëshuara nga nëndetëse amerikane nga një distancë prej 650 kilometrash.
Pas këtij deklarimi, një llogari e lidhur me Gardën Revolucionare iraniane publikoi në platformën X: “Tani ka nisur lufta”, duke e konsideruar sulmin amerikan një akt lufte të mirëfilltë.
Avionët bomardues të SHBA hodhën 12 bomba 14-tonëshe nga 6 avionë B-2 mbi impiantin bërthamor Iranian ‘Fordow’
Gjithçka filloi me ngritjen në fluturim, 37 orë më parë, të një formacioni avionësh B-2 nga baza e Witheman-it, në Missouri, me destinacion bazën e Guam-it në Paqësor. Një zhvendosje, sipas burimeve zyrtare, për arsye mbrojtjeje. Por kjo rezultoi të ishte thjesht një lëvizje mashtruese, sepse shumëkush dyshonte se destinacioni përfundimtar ishte Irani – dhe ashtu ndodhi.
Avionët B-2 hodhën 12 bomba GBU-57, të ashtuquajturat “superbomba” prej 14 tonësh: dhjetë mbi Fordow – objekti më i rëndësishëm – dhe dy mbi Natanz, një tjetër pikë kyçe e programit bërthamor iranian. Më pas, një breshëri raketash lundruese të lëshuara nga Marina Amerikane goditi Isfahanin, nyjen e tretë të rrjetit atomik të Iranit. Kjo ndërhyrje konfirmoi skenarët që ishin parashikuar gjatë ditëve të fundit, me referenca të vazhdueshme për nevojën e përdorimit të armëve speciale për të goditur “malin” që mban brenda vetes centrifugat e Fordow-t.
Bomba GBU-57 u zhvillua në gjysmën e parë të viteve 2000 për t’u përdorur kundër shteteve armiqësore, si Koreja e Veriut apo Republika Islamike e Iranit. Më vonë, ajo u përmirësua për të rritur fuqinë shkatërruese, me teknologji që nuk janë zbuluar plotësisht për arsye sigurie. Qëllimi i bombës është të depërtojë në “guaskën” mbrojtëse të objektivit dhe të shpërthejë brenda, për të shkaktuar dëme të mëdha në thellësi. Besohet se përditësimet e fundit e kanë rritur efektshmërinë e saj edhe në rastet kur nuk ka të dhëna të sakta mbi thellësinë ose pozicionin e synuar.
Shtetet e Bashkuara kanë hedhur 12 bomba të tipit “bunker buster” mbi impiantin bërthamor iranian të Fordow-t, duke përdorur gjashtë avionë bombardues B-2. Lajmi është bërë i ditur nga një burim amerikan për CNN.
E njëjta burim shtoi se nëndetëset amerikane kanë lëshuar 30 raketa cruise Tomahwk (Tlam) ndaj dy impianteve të tjera bërthamore iraniane: Natanz dhe Isfahan. Po ashtu, një nga avionët B-2 ka hedhur edhe dy bomba “bunker buster” mbi impiantin e Natanzit.

Bombardimet e SHBA/ Këshilltari i Khamenei: Tani raketa kundër anijeve amerikane dhe mbyllja e Ngushticës së Hormuzit
Raketa kundër anijeve amerikane dhe mbyllja e ngushticës së Hormuzit – kjo është përgjigjja që Irani kërcënon t’i japë Shteteve të Bashkuara pas sulmit të natës ndaj tre impianteve bërthamore.
«Pas sulmit amerikan ndaj impiantit bërthamor të Fordow-t, tani është radha jonë», ka paralajmëruar Hossein Shariatmadari, kryeredaktor i gazetës konservatore Kayhan, e cila shpesh është identifikuar si “zëdhënëse” e Udhëheqësit Suprem, Ayatollah Ali Khamenei.
Në një mesazh në Telegram, Kayhan citon Shariatmadarin të ketë thënë:
«Pa hezitim dhe pa vonesë, si hap të parë duhet të kryejmë sulme me raketa kundër flotës detare amerikane të vendosur në Bahrein dhe njëkohësisht të mbyllim ngushticën e Hormuzit për anijet amerikane, britanike, gjermane dhe franceze».
Mesazhi përmbyllet me një citat nga Kurani: «Vritini kudo që t’i gjeni».