32.5 C
Tirana
Tuesday, July 8, 2025

Komisioni Europian skanon punën e institucioneve që administrojnë dhe kontrollojnë sistemin e drejtësisë! (E plotë)

Një raport “konfidencial” i Komisionit Europian për Shtetin e së Drejtës në Shqipëri, zbulon boshllëqet dhe problemet me të cilat vijon të përballet sistemi gjyqësor dhe institucionet shqiptare të Drejtësisë. Raporti, që mzyrtarisht thuhet se është ende në fazën e draftimit ngre shqetësime mbi funksionimin e organeve që qeverisin sistemin e drejtësisë. Një fakt i rëndë konsiderohet edhe punësimi ne Shkollën e magjistraturës të emrave të lënë jashtë sistemit nga Vettingu

Në hyrje raporti konstaton se shteti i së drejtës në Shqipëri ka ardhur duke u konsoliduar por problematikat vijojnë ende, sidomos nga dy organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë KLP e KLGJ, të cilat sugjerohet se duhet të gjejnë zgjidhje për një sërë çështjesh.

Draft raporti i Komisionit, konstaton se mbeten boshllëqe për të ruajtur standardet e larta të vendosura gjatë Vettingut. Nga ana tjetër ky proces ka krijuar problem për shkak të reduktimit të ndjeshëm të numrit të gjyqtarëve dhe prokurorëve që i mbijetuan. “Mungesa e burimeve financiare dhe njerëzore, përfshirë magjistratët, vijon të ndikojë negativisht në cilësinë e drejtësisë”, thekson dokumenti duke ngritur shqetësimin për kuotat e ulëta të parashikuara për vitin e ri akademik në shkollën e magjistraturës “të cilat janë thelbësisht të pamjaftueshme për të siguruar mbushjen graduale të vakancave në afat mesatar”.

Po në lidhje me shkollën e magjistraturës, konsiderohet “i rëndë”, “fakti që ish-magjistratët që kanë dhënë dorëheqjen gjatë vetingut dhe janë subjekt ndalimi për të mbajtur pozita të larta në sistemin gjyqësor, janë të lirë të punësohen si staf pedagogjik në Shkollën e Magjistraturës”.

Shqetësim për Brukselin mbeten problemet e vërejtura dhe më parë, në dy organet kryesore të sistemit, Këshillin e Lartë Gjyqësor dhe atë të Prokurorisë.

“Sfidat për të kryer në kohë dhe me cilësi, vlerësimet, emërimet, ngritjet në detyrë dhe transferimet e magjistratëve mbeten të pranishme, ndërkohë që Këshillat vijojnë të mos kenë rregulla të rëndësishme funksionimi” thekson raporti.

“nuk është shënuar ndonjë zhvillim domethënës nga KLGJ-ja dhe KLP-ja, në forcimin e transparencës për ngritjet në detyrë dhe transferimet. KLGJ-së, i mungojnë rregullat e brendshme të nevojshme për të ushtruar funksionet e saj në mënyrë efektive, ndërsa ato të KLP-së kërkojnë rishikim. Të dy Këshillat nuk kanë rregullore të brendshme për konfliktet e interesit të anëtarëve të tyre, duke bërë që rastet e mundshme të konflikteve të interesit të mos trajtohen”, vë në dukje dokumenti i Brukselit.

Komisioni Europian përsërit shqetësimin e shprehur më herët dhe për emërimet e anëtarëve jo-magjistratë në Këshillin e Lartë Gjyqësor dhe Këshillin e Lartë të Prokurorisë, të cilët zgjidhen nga parlamenti. Po ashtu vihet në dukje se mangësitë vazhdojnë në praktikë dhe në kuadrin ligjor për procedurën e emërimit të anëtarëve jo-magjistratë në KLGJ dhe KLP, të cilët nuk i nënshtrohen të njëjtave standarde për kontrollin e të kaluarës dhe deklarimin e pasurisë si anëtarët magjistratë, gjë që ndikon në transparencën dhe meritokracinë e procesit.

Draft raporti i Brukselit sheh si shqetësim serioz, “përpjekjet nga zyrtarë publikë apo politikanë për të ushtruar ndërhyrje të pajustifikuara dhe presion ndaj sistemit gjyqësor”. Dokumenti sjellë në vëmendje dy raste. “Prokuroria e Posaçme nisi një hetim penal në lidhje me një përpjekje për ushtrim presioni ndaj një magjistrati në një çështje që përfshinte një deputet”, shkruhet në raport, I cili duket se i referohet kryetarit të opozitës Sali Berisha dhe sulmeve të tij ndaj gjykatës së çështjes Irena Gjoka. Kjo e fundit ka bërë dhe kallëzim ndaj tij dhe së bijës, Argita Malltezi. Ndërsa rasti i dytë duket se lidhet me reagimet për arrestimin e kryebashkiakut të Tiranës Erion Veliaj.

“Hetimi dhe arrestimi i një zyrtari të zgjedhur, i konfirmuar në shkurt 2025 nga Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), shkaktoi reagime të paprecedenta publike nga ekzekutivi dhe legjislativi, përfshirë përpjekje për të ushtruar presion ndaj SPAK dhe institucioneve të drejtësisë – gjë që ngre shqetësime serioze”.

Aksesi në drejtësi ende jo në nivelin e duhur, me sistemin e integruar modern elektronik që sipas KE pritet të bëhet funksional vetëm në vitin 2030. Situata me stokun e çështjeve të mbartura është përkeqësuar sipas Komisionit Evropian “ndërkohë që masa vendimtare për rritjen e efeciencës ende nuk janë zbatuar”.

Dy janë institucionet e vlerësuara nga ky raport: SPAK dhe Inspektorati i Lartë i Drejtësisë. Për SPAK-un, dokumenti vë në dukje se:”ka konsoliduar më tej rezultatet pozitive në luftën kundër korrupsionit në nivelet e larta, megjithëse vijojnë mungesat në staf dhe infrastrukturë. Struktura e Posaçme Kundër Korrupsionit (SPAK) dhe gjykatat e posaçme për korrupsion dhe krim të organizuar kanë dhënë rezultate pozitive në hetimin, ndjekjen penale dhe gjykimin e rasteve të korrupsionit, përfshirë ato që përfshijnë politikanë dhe zyrtarë të lartë, si dhe në mbrojtjen e interesave financiare Bashkimit Europian. SPAK shfaq një vizion të qartë strategjik dhe pavarësi në luftën kundër korrupsionit të nivelit të lartë, pavarësisht presionit politik, grupeve të krimit të organizuar dhe medias. SPAK gëzon një nivel të lartë besimi nga publiku.Është bërë përparim i prekshëm nga SPAK drejt krijimit të një bilanci të qëndrueshëm në luftën kundër korrupsionit, veçanërisht në nivelet e larta, ndërkohë që është përmirësuar përdorimi i hetimeve financiare dhe konfiskimit të pasurive.”

Për sa i përket luftës kundër korrupsionit, raporti kujton se Shqipëria ka miratuar një strategji të posaçme në dhjetor të vitit 2024. Por, sipas Brukselit “strategjia kundër korrupsionit paraqet disa dobësi, veçanërisht në lidhje me mekanizmin e monitorimit dhe koordinimin institucional, gjë që mund të reduktojë efektivitetin e saj në parandalimin dhe uljen e korrupsionit. Edhe pse ekziston një kuadër ligjor gjithëpërfshirës për luftën kundër korrupsionit, mbeten disa boshllëqe.”

Po sipas raportit, “edhe pse janë ndërmarrë disa hapa organizativë, kuadri institucional për parandalimin e korrupsionit mbetet kryesisht joefektiv dhe bashkëpunimi me strukturat ligjzbatuese vijon të jetë i dobët.”

Sa i përket ILD-së, dokumenti i Brukselit vë në dukje se, “Inspektori i Lartë i Drejtësisë është funksional, por numri i lartë i vendeve vakante për inspektorë-magjistratë ndikon në funksionimin efektiv të tij. Aktualisht janë në detyrë vetëm 9 nga 20 inspektorë. Procesi përzgjedhës për katër inspektorë jo-magjistratë është ende në zhvillim. Ka ende vështirësi për ta bërë pozicionin e inspektorit tërheqës për magjistratët dhe kërkohen ndryshime ligjore për të rritur tërheqjen e këtij pozicioni. Procedura e rekrutimit për komandimin e gjashtë magjistratëve në ILD ka rezultuar e pasuksesshme.”

Nga viti i kaluar Komisioni evropian ka nisur të publikojë, krahas raporteve vjetore të progresit për vendet në proces anëtarësimi, dhe një raport dedikuar shtetit të së drejtës. Dokumenti këtë herë pritet të paraqitet zyrtarisht në ditët e para të korrikut.

Raporti i plotë pjesa ku flitet për sistemin e drejtësisë

Reforma në Drejtësi

Sa i përket sistemit gjyqësor, Shqipëria ka vazhduar zbatimin e reformës në drejtësi, duke forcuar pavarësinë e gjyqësorit dhe autonominë e prokurorisë. Është nxitur integriteti dhe profesionalizmi në të gjithë sektorin, përfshirë përmes procesit të rivlerësimit (vetting), është reduktuar ndikimi politik gjatë gjithë procesit të emërimeve, duke kontribuar në një sistem karriere më të bazuar në meritë. Procesi i rivlerësimit është përfunduar në shkallën e parë, duke forcuar më tej llogaridhënien, ndërsa ankimimet janë në rrugën e përmbushjes së afateve kushtetuese.

Megjithatë, duhet bërë përpjekje të mëtejshme për të përmirësuar cilësinë dhe efikasitetin e drejtësisë dhe pavarësinë e saj, veçanërisht lidhur me vlerësimet profesionale në kohë dhe cilësore, emërimet, promovimet dhe transferimet e magjistratëve, emërimet e anëtarëve jo-magjistratë në Këshillin e Lartë Gjyqësor dhe Këshillin e Lartë të Prokurorisë, aksesin në drejtësi, një sistem modern të integruar elektronik të menaxhimit të çështjeve, trajnimet gjyqësore, burimet njerëzore dhe financiare, konsistencën dhe arsyetimin e praktikës së gjykatave, kohëzgjatjen e proceseve dhe numrin e çështjeve të prapambetura.

Zbatimi i Reformës në Drejtësi, Dokumentet Strategjike dhe Organet Drejtuese

Shqipëria ka vijuar zbatimin e reformës në drejtësi, duke forcuar pavarësinë e gjyqësorit dhe autonominë e prokurorisë. Ka vazhduar zbatimi i Strategjisë së Përgjithshme për Drejtësinë dhe në dhjetor 2024 është miratuar një strategji e re për periudhën 2024-2030. Megjithatë, gjatë zbatimit duhet të sigurohet një mekanizëm më efektiv drejtues, koordinimi dhe konsultimi mes të gjitha institucioneve të drejtësisë.

Shqipëria duhet të sigurojë rinovimin në kohë dhe me meritë të pozicioneve të larta në sistemin gjyqësor gjatë vitit 2025, veçanërisht emërimet në Gjykatën Kushtetuese dhe Strukturën e Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit (SPAK).

Organet vetëqeverisëse të gjyqësorit kanë vazhduar të ushtrojnë funksionet e tyre. Koordinimi midis Këshillit të Lartë Gjyqësor (KLGJ) dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë (KLP) duhet të forcohet më tej. KLP dhe KLGJ duhet të miratojnë rregullat e nevojshme të funksionimit të brendshëm për të kryer efektivisht funksionet e tyre, përfshirë adresimin e konflikteve të interesit.

Nuk ka pasur zhvillime, dhe sfidat vazhdojnë lidhur me përafrimin e dispozitave për kontrollin e sfondit dhe deklarimin e pasurive për emërimet e anëtarëve jo-magjistratë të KLGJ dhe KLP me rregullat për magjistratët. Prokurori i Përgjithshëm dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë duhet të demonstrojnë një koordinim më efektiv në menaxhimin e zyrave të prokurorisë dhe karrierën e prokurorëve.

Gjykata Kushtetuese ka vazhduar të funksionojë në mënyrë efektive, ndërsa mosrespektimi nga Parlamenti i disa vendimeve të saj dhe pasiguria ligjore për kohëzgjatjen e mandateve të anëtarëve të saj mbeten shqetësime.


Pavarësia, Paanshmëria dhe Llogaridhënia

Ndërsa rezistenca e gjyqësorit është përmirësuar në përgjithësi, tentativat e shtuar nga zyrtarë publikë apo politikanë për të ushtruar ndikim të papërshtatshëm dhe presion mbi sistemin gjyqësor kanë shtuar shqetësimet. Hetimi dhe arrestimi i një zyrtari të zgjedhur, i konfirmuar nga Gjykata e Strukturës së Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit (SPAK) në shkurt 2025, ka shkaktuar reagime publike të paprecedentë nga ekzekutivi dhe legjislativi, përfshirë tentativa për të ushtruar presion mbi SPAK dhe institucionet gjyqësore. Kjo ngre shqetësime serioze.

SPAK ka publikuar dy letra ankesash drejtuar Ministrisë së Brendshme dhe Policisë së Shtetit për mosforcimin e sigurisë dhe mungesën e garancisë për sigurinë e personelit të SPAK gjatë një proteste jashtë ambienteve të SPAK.

Gjatë periudhës së raportimit, gjashtë magjistratë janë vënë nën mbrojtje, përfshirë dy gjyqtarë dhe katër prokurorë. Zyra e Prokurorit të Posaçëm ka nisur një hetim penal për tentativën e ushtrimit të presionit ndaj një magjistrati në një çështje që përfshin një anëtar të Parlamentit.

Institucionet drejtuese të gjyqësorit kanë qenë të zëshme në denoncimin e presionit politik mbi gjyqësorin, duke lëshuar deklarata publike.


Procesi i Rivlerësimit (Vetting)

Procesi i rivlerësimit të gjithë gjyqtarëve dhe prokurorëve u përfundua në shkallën e parë në nëntor 2024, duke forcuar më tej llogaridhënien, ndërsa masat për të ruajtur standardet e larta të vendosura gjatë këtij procesi ende duhet të miratohen. Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit (IMO) ka vijuar mbikëqyrjen e plotë të të gjitha aspekteve të procesit të rivlerësimit.

Rezultati i përgjithshëm i vendimeve në shkallën e parë, dhe ku ka pasur ankesa, në shkallë të dytë, ka qenë:

  • 282 shkarkime dhe përfundime marrëveshjesh pune (56 %);
  • 350 konfirmime në detyrë (44 %);
  • dhe katër masa pezullimi me detyrimin për t’u trajnuar (0.49 %).

Janë ende në pritje 110 ankesa. Dhoma e Apelit ka rritur ritmin e shqyrtimit të anketimeve, përfshirë edhe emërimin e katër stafesh shtesë, dhe është në rrugë për të finalizuar procesin e rivlerësimit brenda afatit kushtetues në qershor 2026.

Vazhdojnë të mungojnë vëzhgime efektive gjyqësore në 19 rastet e rivlerësimit që u referuan prokurorisë në shtator 2024.

Për të ruajtur llogaridhënien e sistemit gjyqësor pas procesit të rivlerësimit, Këshilli i Lartë Gjyqësor (KLGJ), Këshilli i Lartë i Prokurorisë (KLP), Inspektori i Lartë i Drejtësisë dhe Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesit, duhet të përditësojnë procedurat e tyre të brendshme dhe të sigurojnë mjaftueshëm staf dhe burime për të vazhduar kontrollin e integritetit dhe aftësive në përputhje me standardet e rivlerësimit.

Inspektori i Lartë i Drejtësisë (ILD) është operacional, por ka ende sfida për shkak të numrit të madh të vendeve vakante për inspektorë magjistratë, gjë që ndikon në funksionimin efektiv të tij. ILD ka trajtuar katër kërkesa për procedura disiplinore gjatë periudhës korrik-dhjetor 2024. Ndryshimet ligjore vazhdojnë të jenë të nevojshme për të rritur tërheqjen e pozicionit për inspektorët magjistratë. Procedura e rekrutimit është në vazhdim për përzgjedhjen e katër inspektorëve jo-magjistratë.

KLGJ dhe KLP duhet të forcojnë transparencën në promovimet dhe transferimet. Ndajimi i rastësishëm i çështjeve duhet të garantohet plotësisht në praktikë në të gjitha gjykatat dhe zyra të prokurorisë.


Cilësia e Drejtësisë

KLP ka përfunduar 9 vlerësime nga 70 të planifikuara për vitin 2025. KLGJ ka përfunduar 11 vlerësime. Ritmi i ngadaltë i vlerësimeve cilësore dhe prapambetja e madhe vazhdojnë të pengojnë emërimet bazuar në meritë dhe zhvillimin e karrierës, dhe praktika e transferimeve si alternativë ndaj promovimeve mbetet shqetësuese.

Janë të nevojshme përpjekje për të forcuar profesionalizmin dhe arsyetimin e praktikës gjyqësore, si dhe për të përmirësuar trajnimet e magjistratëve.


Efikasiteti dhe Burimet

Numri i magjistratëve në detyrë mbetet shumë i ulët (rreth 579), krahasuar me numrin e vendeve të punës të aprovuar (970), gjë që krijon një mungesë të madhe burimesh njerëzore dhe ndikon negativisht në efikasitetin dhe kohëzgjatjen e proceseve gjyqësore.

Sistemi elektronik i menaxhimit të çështjeve dhe dokumenteve është në përdorim, por ende nuk është plotësisht i integruar në të gjitha nivelet dhe institucionet.


Përfundime dhe Rekomandime Kryesore

  • Reforma në drejtësi vazhdon, me fokus në forcimin e pavarësisë, autonomisë dhe llogaridhënies së sistemit gjyqësor.
  • Është përfunduar faza e parë e rivlerësimit të magjistratëve, por duhet të përshpejtohet shqyrtimi i ankimeve dhe të sigurohet mbikëqyrja e mëtejshme.
  • Është i domosdoshëm përmirësim i koordinimit mes institucioneve dhe transparencës në proceset e promovimeve dhe transferimeve.
  • Duhet përballur presioni politik dhe ndikimi i jashtëm mbi gjyqësorin.
  • Rritja e numrit të magjistratëve dhe përmirësimi i burimeve njerëzore dhe teknologjike është jetike për efikasitetin.
  • Shpallja dhe respektimi i standardeve të larta të integritetit dhe profesionalizmit duhet të vazhdojë të jetë në qendër të reformës.

Lufta kundër korrupsionit

SPAK ka konsoliduar më tej kapacitetin e tij në goditjen e korrupsionit, duke arritur rezultate pozitive dhe përparim të prekshëm drejt krijimit të një bilanci të fortë në luftën kundër korrupsionit, veçanërisht në nivelet e larta, ndërsa përdorimi i hetimeve financiare dhe konfiskimeve të pasurive është përmirësuar. Sa i përket parandalimit, megjithëse janë ndërmarrë disa hapa drejt përmirësimit të rrjetit të parandalimit të korrupsionit, legjislacioni mbetet i ndërlikuar dhe i paplotë, dhe institucionet përgjegjëse për parandalimin e korrupsionit duhet të rrisin më tej kapacitetin, efektivitetin dhe rezultatet e tyre, si dhe të përmirësojnë koordinimin me organet e zbatimit të ligjit. Efektiviteti dhe transparenca e verifikimeve të deklaratave të pasurive dhe interesave duhet të forcohen ndjeshëm.

Kapaciteti operacional dhe institucional për luftën kundër korrupsionit

SPAK, i përbërë nga Zyra e Prokurorisë së Posaçme (ZPP), Zyra Kombëtare e Hetimit (ZKH) dhe gjykatat kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar (gjykatat SPAK), ka vijuar të arrijë rezultate pozitive në hetimin, ndjekjen penale dhe gjykimin e rasteve të korrupsionit. Strukturat e tjera represive kundër korrupsionit vazhdojnë të përballen me sfida në zbulimin dhe hetimin efektiv të korrupsionit, ndërsa policia e shtetit mbetet shumë e ndjeshme ndaj korrupsionit.

Kapaciteti i SPAK-ut për të kryer hetime financiare është rritur dhe përdorimi sistematik i hetimeve financiare dhe konfiskimeve të pasurive është përmirësuar. Konfiskimi i pasurive për krimet që lidhen me korrupsionin ka pësuar një rënie. Numri i referimeve për SPAK nga autoritetet e tjera mbetet në përgjithësi i ulët dhe duhet të rritet. Aksesimi i SPAK-ut në bazat e të dhënave shtetërore është zgjeruar. SPAK duhet të vazhdojë përparimin në krijimin e sistemit të menaxhimit të rasteve, të rrisë personelin dhe infrastrukturën, dhe të adresojë ngarkesën në rritje të punës.

Bilanci i rezultateve

SPAK ka bërë përparim të prekshëm drejt krijimit të një bilanci të fortë në luftën kundër korrupsionit, veçanërisht në nivele të larta. Në vitin 2024, Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsion dhe Krim të Organizuar (gjykata e apelit SPAK) ka dhënë 24 dënime përfundimtare me 106 persona të dënuar me vendime përfundimtare në raste korrupsioni, duke përfshirë 13 dënime në raste të nivelit të lartë.
(duke përfshirë ish-ministra, ish-kryetarin e Gjykatës Kushtetuese, ish-kryetarë bashkish dhe zyrtarë të tjerë). Në nëntor 2024, gjykata e apelit SPAK dha vendimin përfundimtar në lidhje me “Rastin e Inceneratorit të Elbasanit”, duke ashpërsuar dënimet për një ish-ministër të Mjedisit dhe një ish-anëtar të Parlamentit. Në dhjetor 2024, gjykata e apelit SPAK pranoi kërkesën e SPAK-ut për të rishqyrtuar vendimin e pafajësisë për tre individë të akuzuar në atë që njihet si “Rasti i Inceneratorit të Fierit”. Gjykata Speciale për Korrupsion dhe Krim të Organizuar (gjykata e parë e SPAK) dënoi 93 persona në raste korrupsioni, përfshirë ish-kryetarin e Bashkisë së Durrësit me katër vite burg për veprime të paligjshme në procedurën e dhënies së lejes së ndërtimit dhe keqpërdorim të fondeve publike. SPAK vazhdoi të japë rezultate të mira në hetim, ndjekje penale dhe operacione të përbashkëta, përfshirë edhe në kuadër të bashkëpunimit ndërkombëtar. Sa i përket korrupsionit në nivele të larta, gjatë periudhës janar 2024 – shtator 2024, shtatë procedime penale u dërguan në gjykim, duke përfshirë 10 zyrtarë të lartë. Deri më 30 shtator 2024, u nisën gjashtë hetime shtesë në raste korrupsioni në nivele të larta, lidhur me 14 persona.

të ngjashme

- Advertisement -spot_img

Më të lexuarat