21.7 C
Tirana
Wednesday, May 14, 2025

SPAK publikon raportin vjetor, rezultate pozitive në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, problem referimet e ulta të policisë

SPAK publikoi në faqen zyrtare raportin vjetor për luftën kundër korrupsionit, duke evidentuar një rritje të ndjeshme të çështjeve dhe personave nën hetim gjatë vitit 2024.

Duke u ndalur në luftën kundër korrupsionit, SPAK raporton se ka ndjekur një qasje aktive duke hetuar një numër të konsiderueshëm zyrtarësh të lartë. Gjatë vitit 2024, rezultojnë të jenë nën hetim 33-ish zyrtarë të lartë (ku dy prej tyre janë të regjistruar në dy procedime të ndryshme secili), nga të cilët 19 zyrtarë janë dërguar në gjykatë me kërkesë për gjykim. Nga numri total i ish-zyrtarëve të lartë nën hetim, 19 prej tyre janë dërguar në gjykatë, që përfaqëson 52,9% të rasteve.

Në krye të problematikave që duhen adresuar është presioni i jashtëm nga krimi i organizuar, aktorë politikë dhe mediatik, i cili cenon pavarësinë e tij kushtetuese dhe efektivitetin në hetime. “Ndërhyrjet e jashtme rrezikojnë gjithashtu, integritetin e prokurorëve dhe të procesit hetimor. Për të garantuar pavarësinë e SPAK-ut, si dhe mbështetje për prokurorët në çështje të ndjeshme, nevojitet një reagim më i koordinuar dhe në kohë i të gjitha institucioneve, të cilat kanë përgjegjësinë e mbrojtjes së integritetit të SPAK” thuhet në raport.

Po ashtu, në raport si problematikë që duhet adresuar ngrihet edhe kërkesa e kreut të SPAK që prokurorëve të posaçëm t’iu lejohet mundësia e rikandidimit edhe pas përfundimit të mandatit.

“Vijimi i mungesës së përcaktimit të qartë ligjor në lidhje me statusin e prokurorëve të posaçëm pas përfundimit të mandatit të tyre. SPAK konstaton se, kjo problematikë nuk është adresuar ende dhe thekson se mos përcaktimi i qartë i këtij statusi mund të cenojë vijimësinë e ruajtjes së standardeve të larta profesionale të hetimit, të kërkuara nga publiku, Kuvendi, Këshilli i Ministrave dhe institucionet ndërkombëtare. Siç është nënvizuar edhe në raportin vjetor të SPAK për vitin 2023, nga mungesa e një statusi të qartë të prokurorëve të posaçëm do të cenohej gjithashtu dhe vazhdimësia e hetimeve të rëndësishme të kryera nga SPAK”, thuhet në raport.

Pasuritë e sekuestruara

Vlera e aseteve të sekuestruara dhe konfiskuara për vitin 2024 nga SPAK, përllogaritet në vlerën afërsisht prej 65,5 milion euro. Këtu përfshihet vlera e aseteve të sekuestruara dhe konfiskuara në kuadër të Ligjit Anti-Mafia, Kodit Penal dhe Aktit Normativ (OFL). Nga totali rreth 36,8 milion euro është vlera e aseteve të konfiskuara dhe rreth 28,7 milionë euro është vlera e aseteve të sekuestruara.Në raportin e SPAK për vitin 2024, thuhet se vlera e pasurive të sekuestruara ka shënuar një rritje të ndjeshme në vitin 2024, prej rreth 47%, konkretisht nga 1.9 miliardë lekë në vitin 2023, në vlerën rreth 2.8 miliardë lekë në vitin 2024.

Për sa i përket pasurive të konfiskuara gjatë vitit 2024, edhe pse evidentohet rënie e numrit të pasurive të konfiskuara, nga ana tjetër evidentohet një rritje e ndjeshme e vlerës në lekë/euro të pasurive të konfiskuara krahasimisht me vitin 202325

Konkretisht vlera e pasurive të konfiskuara gjatë vitit 2024, është në vlerën rreth 938 milion lekë nga 440 milion lekë që ishte në vitin 2023, dhe 27 milion euro nga rreth 18 milion euro që ishte në vitin 2023.

Sa i përket vlerave të pasurive të konfiskuara dhe sekuestruara nga Prokuroria e Posaçme gjatë viti 2024, rezulton se rreth 30 milionë euro, ose rreth 45,8% të vlerës totale të pasurive të konfiskuara dhe sekuestruara përgjatë këtij viti, e zënë pasuritë që ju përkasin zyrtarëve të lartë.

Nje pjesë të raportit të SPAK e zë skema e pastrimit të parave. SPAK thekson se pastrimi i parave përmes transaksioneve fiktive dhe investimeve të fshehta është një element thelbësor i kësaj skeme.

Sipas SPAK përdorimi i “cash”-it për të shmangur gjurmët financiare dhe ri-investimi i fondeve në aktivitete të tjera ekonomike tregon një nivel të lartë të sofistikimit të kësaj veprimtarie.

Prokuroria e Posaçme ka zbuluar detaje lidhur me trafikun e drogës dhe mënyrës si funksionojnë grupet kriminale shqiptare.ipas të dhënave, në vend janë identifikuar 16 grupe kriminale me rrezikshmëri të lartë shoqërore, të cilat janë aktive në qarqet e Tiranës, Durrësit, Shkodrës, Kukësit, Lezhës, Elbasanit dhe Vlorës.

“Nga veçoritë dalluese të këtyre grupeve kriminale është struktura e tyre hierarkike, ndarja e roleve, përfshirja në anëtarësinë e tyre të përfaqësuesve të gjyqësorit, prokurorisë, policisë së shtetit, medias dhe botës akademike.  Disa tipare të tjera të veçorive të këtyre grupeve janë përdorimi i komunikimeve të koduara si  ECC dhe pastrimi i parave nëpërmjet kriptovalutave”, thuhet në raportin e SPAK.

Sipas SPAK, këto grupe vijojnë të jenë aktive në tregjet ndërkombëtare të drogës, kryesisht në trafikun e kokainës dhe kanabisit, me një shtrirje të konsiderueshme në disa shtete të Bashkimit Evropian (BE) dhe më gjerë.

Kokaina kryesisht porositet në sasi të konsiderueshme në Bolivi, Meksikë, Peru, Ekuador, dhe Paraguai. Në raport thuhet se këto dërgesa kalojnë në BE dhe Ballkanin Perëndimor kryesisht nëpër porteve hyrëse të Gioia Tauro (Itali), Roterdam (Holandë), Antwerp (Belgjikë), Algeciras (Spanjë), Pire (Greqi), si dhe nëpërmjet porteve të Durrësit (Shqipëri) dhe Tivarit (Mal i Zi).

Po ashtu, shumë prej eksponentëve kryesorë të këtyre grupeve janë vendosur në Dubai të Emirateve të Bashkuara Arabe.

Përveç trafikut të drogës, raporti i SPAK thekson se grupet kriminale shqiptare janë gjithashtu të përfshira në aktivitetet e kontrabandës së qenieve njerëzore dhe krimit kibernetik.

Ndër të tjera, këto grupe kriminale sipas SPAK, përdorin teknologji të avancuar për të mbajtur komunikimet sekrete, duke aplikuar sisteme të koduara si ECC.

Kliko këtu për të aksesuar Raportin e plotë: Raporti-vjetor-SPAK-2024.pdf

të ngjashme

- Advertisement -spot_img

Më të lexuarat