31.5 C
Tirana
Tuesday, July 8, 2025

BE: Të ndalet presioni ndaj drejtësisë!

Ambasadori i BE-së në Tiranë, në një tryezë diskutimi për performancën dhe integritetin e SPAK, theksoi se ka ende shumë punë për të bërë në zbatim të reformës, duke shtuar se kërkohet transparencë dhe llogaridhënie. 

“Reforma në drejtësi ka dhënë atë që pritej nga Shqipëria dhe kontribut të madh për ecurinë e mrekullueshme drejt BE. Ka ende shumë punë për të bërë në zbatimin e kësaj reforme, dhe inkurajojmë institucionet përkatëse, në veçanti ato të pavarura të drejtësisë”, u shpreh Gonzato.

Teksa tha se dëshiron ta shikojë ‘gotën gjysmë plot dhe jo gjysmë bosh’, Gonzato u ndal edhe te rekomandimet që kanë bërë përmes raporteve të BE, për të cilat tha se duhet adresim urgjent. Mes tyre, Gonzato përmendi fuqizimin e mekanizmave për konfliktin e interesit apo një lloj ‘vettingu’ edhe për emërimet për anëtarët jo magjistratë të KLP apo KLGJ me ato që janë magjistratë, me kontrolle pasurie dhe historik. Këto çështje, u shpreh ambasadori, nuk kërkojnë me patjetër ndryshime ligjore dhe KLP duhet t’i marrë në konsideratë pasi siç shtoi ai, “janë gjëra që mund të arrihen pa shpikur rrotën.”

Kreu i SPAK Altin Dumani theksoi se ndërhyrjet me karakter konstruktiv janë të mirëpritura, por shtoi se përpjekjet për të cenuar pavarësinë e institucionit rrezikon që të çbalancojë kufijtë kushtetues. Kreu i SPAK theksoi gjithashtu se edhe vërejtjet se ekzekutivi duhet të kufizojë ndikimin në sfera administrative janë të drejtë.

“Ndërhyrjet që mbajnë karakter konstruktiv janë të mirëpritura por çdo përpjekje për të cenuar pavarësinë funksionale nëpërmjet rekomandimeve të paqarta ose të njëanshme rrezikon të çbalancojë kufijtë kushtetues midis pushteteve. Në thelb s’kanë rol detyrues për SPAK, por orientues dhe mbështetës. Duke respektuar ndarjen e pushteteve dhe rolin e institucioneve te pavarura, mund të ruajmë balancën kushtetuese. Vërejtja se ekzekutivi të kufizojë ndikimin në sfera administrative është e drejtë.”, shtoi Dumani.

Dumani u ndal edhe te raportet me KLP dhë ILD, ndërsa sa i përket Kuvendit, dhe raportimit vjetor në këtë institucion, ai tha i mirëpresin rekomandimet e tyre por duhet të bazohen në analiza të thelluara.

“Çdo rekomandim i kuvendit jemi përpjekur ta trajtojmë. Po të shikoni raportet e SPAK, do të gjeni edhe një shpjegim sesi janë përmbushur rekomandimet e Kuvendit apo ata duhet të bazohen në analiza të thelluara dhe objektive, në mënyrë që të sigurohet komunikim institucional.”, tha Dumani.

Duke vlerësuar arritjet e deritanishme në luftën kundër korrupsionit në nivele të larta, Spiropali tha se Kuvendi ndan të njëjtin vlerësim me raportin e KE-së, për të adresuar më shumë progres në këtë luftë, në pavarësinë e sistemit të drejtësisë, si në thirrjen për të ndaluar intimidimet ndaj këtyre institucioneve.  

“Kuvendi i Shqipërisë ndan të njëjtin vlerësim e mbështetje me Raportin e Komisionit Europian për nevojën e progresit thelbësor në luftën kundër korrupsionit dhe sigurimin e pavarësisë së sistemit të drejtësisë; Për arritjet e deritanishme dhe vijimin e hetimeve në luftën kundër korrupsionit në nivele të larta, si një prioritet i rëndësishëm; Për pavarësinë e plotë të institucioneve të përfshira në luftën kundër korrusionit dhe inkurajimin e forcimin e kapaciteteve të tyre operacionale dhe investiguese; Për thirrjen për ndalimin e avazit të etiketimeve e sulmeve gati të përditshme, që synojnë të intimidojnë, ndikojnë dhe minojnë punën SPAK. Për rritjen e mbështetjes dhe të besimit publik për gjyqtarët e prokurorët, si premisa për forcimin e shtetit ligjor dhe avancimin e integrimit europian të Shqipërisë.”, shtoi ajo.

të ngjashme

- Advertisement -spot_img

Më të lexuarat