Duket se kryetari i Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj, do ketë fatin e Ilir Metës edhe do presi i izoluar përfundimin e hetimeve nga SPAK, pasi Gjykata e Lartë ka rrëzuar rekursin e tij për ndryshimin e masës së sigurisë “Arrest me burg”, duke i lënë në fuqi vendimin e Gjykatës së Apelit të Posaçëm. Me këtë vendim duke marrë si analogji dhe me rastin Bejleri, Bashkia Tiranë duhet të shkojë në zgjedhje të parakohshme, por më përpara Veliaj duhet të shkarkohet formalisht nga qeveria.
Vendimi për lënien në qeli është marrë nga trupa gjykuese me relatore gjyqtaren Albana Boksi dhe anëtarë Medi Bici dhe Sokol Binaj. Gjykata e Lartë është shkalla e tretë e gjyqësorit që e le Erion veliajn në burg, pasi më parë është lënë në qeli si nga Gjykata e Posaçme, po ashtu edhe nga Apeli i Posaçme, pavarësisht se ka bërë disa ankimime, duke ofruar edhe garanci pasurore për të dalë nga burgu.
Erion Veliaj u arrestua mesditën e 10 Shkurtit në Bashkinë e Tiranës, teksa pas një hetimi 1 vjeçar, SPAK i ka ngritur akuzat për kryerjen e veprave penale “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, kryer në bashkëpunim (9 herë) dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.
Pas vendimit të Apelit, Erion Veliajt iu shtua edhe akuza e futjes së sendeve të ndaluara në qelitë e paraburgimit, pasi ishte në përgjim dhe zhvilloi telefonata me celularin e një prej efektivëve të Burgjeve, teksa ishte në fugon për t’u transferuar në burg.
Për të njëjtën çështje akuzohet edhe bashkëshortja e tij, Ajola Xoxa, e cila ndodhet në masën “detyrim paraqitje”, dhe mbi të rëndojnë akuzat për veprat penale “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, kryer në bashkëpunim (9 herë) dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.
Nga hetimi i SPAK ka rezultuar se Erion Veliaj dhe Ajola Xoxa kanë krijuar një skemë përfitimi ryshfetesh për pasurim personal përmes një numri organizatash dhe kompanish të kontrolluara prej tyre apo të afërmve të tyre dhe kanë përfituar së paku 1.1 milionë euro në nëntë raste. Veliaj akuzohet se ka përfituar tre vila në një fshat turistik në Qerret ndërsa Xoxa akuzohet se ka shpenzuar rreth 800 mijë euro në blerje online, të cilat nuk i ka deklaruar në deklaratat vjetore.
Biznesmenët Elman Abule, Gentian Sula, Shkëlqim Fusha, Fatmir Bektashi, Meriman Palushi dhe Sokol Kryeziu në këmbim të tenderave nga Bashkia e Tiranës dhe lejeve të ndërtimit, i ofronin Erion Veliajt, shuma monetare nëpërmjet blerjeve fiktive, biletave avioni, sponsorizimeve, OJF-ve të Ajola Xoxës, si dhe pasurive të paluajtshme, si disa vila në Qerret.
Ndërkoh, më 22 Maj, SPAK rëndoi pozitat penale të çiftit Erion Veliaj-Ajola Xoxa, pasi i shtoi një akuzë të re, si dhe i sekuestroi edhe një tjetër apartament, e cila dyshohet si pasuri e fshehur e tyre.
Bëhet fjalë për apartamentin në katin e dytë të godinës ku ndodhet dhe apartamenti i Erion Veliajt dhe Ajola Xoxës në zonën e “Kodrës së Diellit” në kryeqytet, ku më parë ishte ushtruar kontrolle edhe nga oficerët e BKH-së.
Ndaj çiftit Erion Veliaj-Ajola Xoxa është shtuar akuza e veprës penale “Refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim”.
Aktualisht Erion Veliaj ndodhet në paraburgimin e burgut të Durrësit. Nga qelia, nëpërmjet rrjeteve sociale dhe mediave që e mbështesin, kryebashkiaku ka ndërmarrë një fushatë linçimi publik ndaj prokurorit të çështjes dhe gjyqtarëve që kanë vlerësuar masën e sigurisë, në një përpjekje të dështuar për t’i frikësuar.
Veliaj ka angazhuar në mbrojtje të tij edhe dy studio ligjore ndërkombëtare – në Nju Jork dhe Londër, si dhe një kompani ‘PR’ britanike.