Zamira Voci
Duhen edhe pak muaj që të mbushen plot 3 vjet nga anëtarësimi i Shqipërisë në Mekanizmin e Mbrojtjes Civile të Bashkimit Europian, një organizëm që ka në themel sistemin e menaxhimit të rrezikut të fatkeqësive natyrore.
Në pamje të parë duket thjesht si një çështje burokratike, nga ato që ratifikohen nga Kuvendi, bëhen dy-tre kronika në televizione, mbahen ca procesverbale, si e çfarë ndodhi, dhe kaq. Por jo! Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile ka lënë gjurmën e saj jo vetëm para dhe gjatë momentit të anëtarësimit, por edhe më pas, e vijon çdo ditë. Për shumë qytetarë, Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile luan rol, apo përfshihet në debatet publike, vetëm kur ndodh një fatkeqësi natyrore, (tërmet, zjarr, përmbytje…). Dhe shumë syresh “turren” të fajësojnë këtë strukturë, që për hir të së vërtetës duhet thënë funksionon deri në perfeksion, jo vetëm në pëmbushje të misionit të saj dhe objektit të veprimtarisë që ka ligjërisht, por edhe në parandalim, një term, që askush nuk e kupton, nëse nuk je brenda strukturës, apo qoftë edhe pjesë e informimit për këtë agjenci.
Në verë të gjitha hutohen nga përditshmëria e tyre. Mendja është tek pushimet verore, ku, si, sa…e një mori pyetjesh “vlojnë” në trurin njerëzor. Por, askush nuk mendon se në ato muajt e verës, nën temperatura të larta, një strukturë e shtetit është në gatishmërinë më të lartë, në atë që në gjuhën policore njihet si gatishmëria nr. 1. Dhe janë pikërisht ata djemtë dhe vajzat, burrat dhe gratë e Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile. Janë këto struktura dhe të tjera të Ministrisë së Mbrojtjes, që kujdesen për të fikur zjarret e vëna, ku me qëllim, e ku të rënë aksidentalisht.
Janë ata djemtë e vajzat, trupat e këmbësorisë, që “luftojnë” me flakët e tërbuara edhe nga era, apo temperaturat e lartë në mes të ditës, e pa njohur kurrë orare pune. Gjatë emergjencave, risku ka natyrë dinamike. Shfaqen risqe të reja, largohen risqet e identifikuara më parë dhe ekuilibri ndërmjet risqeve ndryshon vazhdimisht. Vlerësimi dhe menaxhimi i riskut në mënyrë aktive duhet të jetë një proces i vazhdueshëm. Kjo duhet të mundësojë dhe jo të pengojë realizimin e operacioneve efikase duke mundësuar analizimin dhe zgjidhjen e problemeve të parashikuara përpara se ato të shfaqen.
Emergjencat krijojnë sfida për vazhdimësinë e veprimtarisë. Koha e stafit, burimet dhe vëmendja ndaj menaxhimit janë kërkesa të konsiderueshme, ndërkohë që një sfidë madhore është vazhdimësia e përpjekjeve për përgjigje dhe rimëkëmbje krahas funksioneve të përditshme të organizatës. Risku që drejtuesit e lartë të përballen me ngjarje të paparashikuara gjatë periudhave të zgjatura të presionit mund të mos jetë i dukshëm në momentin e parë, por mund të jetë një risk i konsiderueshëm.
Sepse, ne që jemi në shezllon duam rehatinë, por nëse nuk i ndihmojmë ata njerëzit e zjarreve të vetës, të paktën të kursejmë helmin që hedhim për ta çdo ditë në rrjetet sociale. Askush prej nesh, as unë shkruesi i këtyre radhëve nuk ngrihem nga rëra e nxehtë dhe freskia e dallgëve të detit, të shkoj drejt tyre me një shishe ujë në dorë. Sepse, nëse nuk kam përvojën për të fikur zjarrin, nuk duhet shkencë të kontribuoj, duke qenë pranë tyre me mesazhe motivuese.
Shqipëria renditet si një nga vendet me pasojat më të mëdha ekonomike në shkallë botërore, të shkaktuara nga një shumëllojshmëri fatkeqësish natyrore. Humbjet mesatare vjetore të saj llogariten në rreth 2.5 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB). Përveç ekspozimit ndaj rreziqeve natyrore, janë një numër faktorësh të tjerë shtesë të rrezikut (urbanizimi i pakontrolluar, degradimi i mjedisit), të cilët duke u bërë pjesë e tranzicionit shqiptar drejt ekonomisë së hapur të tregut, po kontribuojnë gjithashtu në fuqizimin e efekteve të katastrofave natyrore. Në dy dekadat e fundit, Shqipëria ka tentuar aplikimin e një qasjeje më bashkëkohore në përballjen me fatkeqësitë me origjinë natyrore apo nga njeriu, duke u kushtuar rëndësi njëherazi si “Reduktimit të Rrezikut të Fatkeqësive” (RRF) ashtu dhe “Mbrojtjes Civile” (MC).
Ajo ka përmirësuar kuadrin ligjor që lidhet me këto fatkeqësi, planet operacionale, strukturat përkatëse institucionale dhe kapacitetet, si dhe bashkëpunimin me vendet e rajonit e aktorët e tjerë ndërkombëtarë. Theksi kryesor po vihet në inkurajimin e një kulture të tillë të Mbrojtjes Civile, që mundëson reduktimin e riskut për një diapazon të gjerë fatkeqësish duke përfshirë të gjithë aktorët/faktorët e interesuar. Megjithatë, strategjitë dhe planet përkatëse në Shqipëri vuajnë mungesën e mekanizmave zbatues, ndërsa krijimi i kapaciteteve ka mbetur prapa për shkak të qasjeve të ndryshme sektoriale dhe angazhimit të pamjaftueshëm të një numri institucionesh shtetërore, por edhe të varësisë ende të lartë nga mbështetja e huaj. Ndërsa mbështetja e dhënë deri tani nga një numër aktorësh mbishtetërorë (OKB, BE, Banka Botërore) ka dhënë disa rezultate pozitive në fushën e mbrojtjes nga fatkeqësitë natyrore. Në nivel dypalësh, Shqipëria ka një bashkëpunim të mirë me Italinë, Greqinë, Maqedoninë, Kosovën dhe disa vende të tjera. Në këtë aspekt, pasi bën një analizë të shkurtër të anëve të forta dhe të dobëta të këtyre sistemeve në Shqipëri e disa vende të tjera, studimi sugjeron disa fusha të mundshme e të dobishme bashkëpunimi për menaxhimin e emergjencave civile në të ardhmen.
Në Shqipëri, sjellja e popullsisë shpesh ka kontribuar në rritjen e efekteve të fatkeqësive në vend. Kjo evidentohet qartë në faktet e përmendura më lart për urbanizimin e pakontrolluar e kaotik të ndodhur në dy dekadat e fundit. Një tjetër sfidë është dominimi i “mentalitetit të komandimit”3 , në vend të mentalitetit të iniciativës, hapjes, koordinimit dhe kooperimit. Gjithashtu mungon një kulturë solide vullnetarizmi. Të gjitha këto tipare kulturore janë shpjeguar kryesisht me ndikimin për një kohë të gjatë të “qasjes së shtetit të centralizuar”. Vitet e fundit ka një lëvizje të fortë nga Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile, të paktën për përpilimin e strategjive parandaluese, trajnimin e stafeve, ngritjen e ekipeve të vullnetarëve, pajisjen me mjete, si dhe investimin e një qendre informacioni të një modeli europian. Sepse, kur je pjesë e Mekanizmit Evropian të Mbrojtjes, vërtet e ke merituar, por ka edhe detyrime që duhen plotësuar.