Nga Zamira Voci
Prej disa ditësh kryefjalë e ne njerëzve të medias, që shkruajmë, komentojmë, zbulojmë, apo intervistojmë pafund për çështje të caktuara, madje edhe me vëmendje të shtuar, ka qenë raporti konfidencial i Komisionit Evropian për Shtetin e së Drejtës në Shqipëri, që analizon ecurinë e vendit në kuadër të kapitujve themelorë të negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
Të gjitha mediat e kanë cilësuar konfidencial, por thuajse të gjitha kanë publikuar pjesë të tij. Edhe unë shkruesi i këtyre radhëve e kam lexuar, e rilexuar. Sepse, drejtësia është për njerëzit që kanë problematike direkte, por edhe për të tjerët.
Duke iu referuar raportit, në pjesën më të madhe të faqeve të tij kryefjalë ishte Drejtësia, Këshilli i Lartë Gjyqësor, SPAK, Inspektori i Lartë i Drejtësisë dhe ILDKPI. Ashtu si unë, edhe shumë të tjerë e kanë lexuar raportin, sipas syrit të tyre. Ka nga ata që e kanë cilësuar negativ për Drejtësinë, duke e përzierë edhe me nota politike brenda, ka nga ata që e shohin shumë pozitiv. Këtë kategorizim të njerëzve e ka përcaktuar qartësisht Winston Churchill kur drejtonte qeverinë angleze nga viti 1951 deri në 1955. Nisur nga polemikat për çështje të caktuara, Churchill tha se një pesimist shikon vështirësi në çdo mundësi, ndërsa një optimist shikon mundësi në çdo vështirësi. Pra, e thënë më troç, varet si do ta shohësh raportin e Komisionit Europian, me apo pa ngjyra.
Tani ka edhe një kategori të tretë, që nuk e sheh, as sipas Churchillit, dhe as sipas politikanëve tanë. Fatmirësisht unë bëj pjesë tek të tretët. Shoh çfarë është shkruar e zeza mbi të bardhë. Dokumenti vlerëson përparimet në sistemin gjyqësor dhe në luftën kundër korrupsionit, por paralajmëron për sfida të mëdha të pazgjidhura, përfshirë presionet politike dhe nevojën për forcimin e efikasitetit institucional.
Ajo që të tërheq vëmendjen e menjëhershme është presioni politik. Dhe presioni politik mbi Drejtësinë duket qartë nga deklaratat publike që kanë qenë me shumicë sa djathtas e majtas. Sulme këto shpesh nominale, e deri tek “denoncimet” për metodat si funksionojnë organet e Drejtësisë, apo si duhet të veprojnë ato me emrat e përveçëm. Pa përfshirë këtu portalet që u shërbejnë denjësisht politikanëve në maxhorancë, apo opozitë.
Por, një gjë, me aq sa kam ndjekur për shkak të punës time, di ta them me siguri, që ca punë të mira ka bërë dhe po bën kjo Drejtësia e re, atë për të cilën e votuan në Kuvend politikanë të majtë e të djathtë. Të paktën nuk ka më pandëshkueshmëri. Të paktën kanë frikë të gjithë, se një ditë “haka do shkojë tek i zoti”!
Nga ana tjetër, ditët e fundit, disa media online, që nuk ma heq njeri nga mendja, që janë të lidhur me interesa personale, kanë nisur një luftë ndaj Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, pra përdorin çdo lloj mënyre për presion. Unë as e njoh dhe as kam dëshirë ta njoh kreun e SPAK, Altin Dumani. As e njoh dhe as dua ta njoh Inspektorin e Lartë të Drejtësisë Artur Metani. Por si gazetare më duhet të informohem, e aq më tepër, kur shoh që ka një sulm ndaj tij, edhe pse nga portale periferike dhe që për kryefjalë të punës së tyre kanë presionin mbi institucionet e Drejtësisë. Dhe duke u rikthyer tek raporti i Komisionit Europian, pra Brukseli thotë shqip “ILD është operacional, por ka ende sfida për shkak të numrit të madh të vendeve vakante për inspektorë magjistratë, gjë që ndikon në funksionimin efektiv të tij”. Për të bindur veten, por edhe të vërtetën e Brukselit zbulova se në faqen zyrtare të internetit të Zyrës së Inspektorit të Lartë të Drejtësisë janë vetëm 9 inspektorë, nga 20 që duhet të jenë në organikë, sipas ligjit. Për hir të së vërtetës unë jam e prirur ti besoj Brukselit, por në rastin konkret, verifikova disa të dhëna. Së pari, Inspektori i Lartë i Drejtësisë është një organ i ri, i krijuar në vitin 2020. Në faqen e tyre të internetit, një dritare e mirë për të marrë informacion media, kishte të dhëna për shumëçka. Sy dyti, kishte edhe shifra procedimi, ankesash e ku di unë, si mund të cilësohen nga njerëzit e Drejtësisë. Më bëri përshtypja shifra e 49 procedimeve të magjistratëve. Pra me një llogari të thjeshtë, në një vit janë dërguar për procedime në Këshillin e Lartë Gjyqësor, apo Këshillin e Lartë të Prokurorisë, mesatarisht një magjistrat në muaj, në 5 vjet të krijimit të këtij institucioni. Pra, Brukseli kur thotë funksionon, bazohet në shifra e dokumente dhe jo deklarata boshe të ndonjë deputeti, apo personazhi që ka ca interesa të tijat, apo ca halle me Drejtësinë dhe do i zgjidhë duke sulmuar SPAK, ILD, e të tjera.
Tani, që të kuptohemi. SPAK dhe ILD, apo edhe të tjera mund të kenë kusure pafund në punën e tyre, por një gjë e kanë treguar që presionin nuk e hanë dhe korrupsionit i kanë thënë njëherë e mirë ndal. Se nëse do ishte e kundërta, Altin Dumanin dhe Artur Metanin do i kishin masakruar në të gjitha mediat. Ndaj, ne gazetarët kur nuk kemi pulën (korrupsionin), hamë sorrën (funksionimin), duke goditur më të pagoditshmen për momentin.