32.5 C
Tirana
Tuesday, July 8, 2025

Metani: Inspektimet tematike impakt në rritjen e transparencës dhe efektivitetit të sistemit të drejtësisë

Inspektori i Lartë i Drejtësisë Artur Metani mori pjesë në mbledhjen e përbashkët të Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë me fokus tek inspektimet tematike, mbështetur nga projekti EU4Justice.

Në fjalën e tij, Metani tha se sistemi i drejtësisë në Shqipëri, jo vetëm po përballet me sfidën e ringritjes dhe riorganizimit të tij, pas një reformimi të thellë, por duhet edhe të ruajë një ekuilibër të drejtë, ndërmjet problematikave dhe vështirësive që përjeton, si dhe besimit apo kërkesave të publikut për një drejtësi cilësore, efikase, të shpejtë dhe me integritet. E për këtë, vërejti zoti Metani, duhet një qasje e re, përmes orientimit tek cilësia dhe performanca e sistemit gjyqësor. “Sot mendoj se ka ardhur koha që të gjithë ne duhet t’i drejtojmë qëllimet, si dhe veprimtarinë e institucioneve tona,  nga modeli i organeve të inspektimit të fokusuar në vlerësimin individual të gjyqtarëve dhe prokurorëve  drejt vlerësimit të cilësisë dhe performancës së sistemit gjyqësor në tërësi, përmes një modeli të bazuar në inspektimin e gjykatave dhe prokurorive”.

Duke u ndalur tek inspektimet tematike të kryera nga ILD, zoti Metani nënvizoi se synimi i tyre ka qenë konstatimi i problematikave në sistem e drejtësisë dhe rekomandimin e zgjidhjeve, rekomandime, që i kanë shërbyer përmirësimit të funksionalitetit të gjykatave dhe zyrave të prokurorive në shërbim të dhënies së drejtësisë ndaj publikut.

Nga ana tjetër, Inspektori i Lartë i Drejtësisë e vuri theksin tek bashkëveprimi dhe koordinimi ndërmjet institucioneve të drejtësisë, si një element i nevojshëm, jo vetëm në paraqitjen e propozimeve për kryerjen e inspektimeve tematike, por në vijimësi në fushat me impakt në veprimtarinë e magjistratëve.

Fjalë përshëndetëse në nisje të mbledhjes mbajtën kryetarja e Këshillit të Lartë të Prokurorisë znj. Mirela Bogdani, kryetari i Këshillit të Lartë Gjyqësor z. Ilir Rusi dhe Prokurori i Përgjithshëm Olsian Çela.

Mbi perspektivën e Këshillave, roli, përfshirja dhe bashkëpunimi mbi inspektimet tematike referuan kryetari i Komisionit të Përhershëm Disiplinor të KLP, z. Zeqir Hoda dhe në emër të Komisionit të Përhershëm Disiplinor të KLGJ znj. Emona Muçi.

Inspektori i Lartë i Drejtësisë z. Metani bëri një paraqitje mbi “Situatën aktuale të Inspektimeve Tematike – përmbledhje historike, gjendja e bashkëpunimit ndërinstitucional, gjetjet kryesore dhe rekomandime”.

Takimi u mbyll me diskutime e propozime mbi përmirësimin e koordinimit dhe bashkëpunimit institucional për inspektimet tematike.

Fjala e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë:

E nderuar Znj. Bogdani,

I nderuar Z. Rusi,

I nderuar Z. Çela,

Të nderuar anëtarë të Këshillave,

Të nderuar pjesëmarrës.

Faleminderit për ftesën dhe mundësinë për të marrë pjesë në këtë aktivitet!

Personalisht e vlerësoj shumë organizimin e tij, pasi zhvillimi i këtij takimi është një tregues i qartë mbi vëmendjen e duhur që institucionet tona po i kushtojmë procesit të zhvillimit të inspektimeve tematike, apo institucionale ndaj organeve të pushtetit gjyqësor.

Duke dëgjuar fjalën e kolegëve të mi, në këtë moment më erdhi në mendje shprehja e një kolegut tim ekspert në Këshillin e Evropës (Delbos), i cili ka asistuar në disa procese pune Zyrën e ILD mbi zhvillimin e inspektimeve tematike apo institucionale se: “Ne sot jetojmë në një paradoks të çuditshëm: asnjëherë kërkesa për drejtësi nuk ka qenë kaq e fortë dhe asnjëherë sistemet e drejtësisë nuk kanë qenë në gjendje kaq të brishtë”.

Kjo dilemë e shumë shteteve të tjera gjen tashmë vend edhe në Shqipëri. Kjo për faktin se, sot sistemi i drejtësisë në Shqipëri, jo vetëm po përballet me sfidën e ringritjes dhe riorganizimit të tij, pas një reformimi të thellë, por gjithashtu duhet të ruajë një ekuilibër të drejtë ndërmjet  problematikave dhe vështirësive që përjeton, si dhe besimit apo kërkesave të publikut për një drejtësi cilësore, efikase, të shpejtë dhe me integritet.

Duke mos dashur aspak të nënvlerësoj sistemin llogaridhënës të magjistratëve, i cili është një mekanizëm i rëndësishëm dhe i domosdoshëm në një shtet të së drejtës, sot mendoj se ka ardhur koha që të gjithë ne duhet t`i drejtojmë qëllimet, si dhe veprimtarinë e institucioneve tona,  nga modeli i organeve të inspektimit të fokusuar në vlerësimin individual të gjyqtarëve dhe prokurorëve (magistrate-based inspections) drejt vlerësimit të cilësisë dhe performancës së sistemit gjyqësor në tërësi, përmes një modeli të bazuar në inspektimin e gjykatave dhe prokurorive (institution -based inspections).

Nevoja për këtë qasje të re është e rëndësishme për dy arsye: Pikësëpari, dhënia e drejtësisë është një shërbim publik me impakt të thellë në një shoqëri, por në shumë raste jo në cilësinë apo eficencën e duhur, duke mos kryer funksionin apo qëllimin e saj. Në të njëjtën kohë, mosfunksionimi i saj ka ndikuar dhe në veprimtarinë dhe performancën e magjistratëve, të cilët shpeshherë përballen me ngarkesa dhe kushte pune, të cilat jo vetëm kanë ndikuar në aftësinë profesionale, aftësitë e komunikimit, kujdesin profesional, efikasitetin apo integritetin e tyre, por njëkohësisht edhe në cilësinë e drejtësisë së ofruar.

Në frymën e kësaj qasjeje, Zyra e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë i ka vlerësuar inspektimet tematike dhe institucionale si funksion thelbësor të këtij institucioni me impakt të drejtpërdrejtë në rritjen e transparencës dhe efektivitetit të sistemit të drejtësisë, duke iu përgjigjur nevojave të publikut për një sistem drejtësie të pavarur, eficent dhe të paanshëm.

Synimi primar i inspektimeve tematike, të përfunduara dhe në proces nuk ka qenë identifikimi i dështimeve në sistem apo konstatimi i shkeljeve konkrete disiplinore nga magjistratët apo iniciimi i procedimeve disiplinore, pasi ILD parapakisht vlerëson se një sërë çështjesh mund të kërkojnë një adresim të qartë dhe zgjidhje të kujdesshme, në aspekt sistemik dhe nuk mund të adresohen vetëm nga ana e Zyrës së ILD-së, në kuadër të procedimeve disiplinore për sa pretendohet vazhdimisht, mbi rolin dhe funksionet e institucionit të Inspektorit të Lartë të Drejtësisë.

Përkundrazi inspektimet tematike të realizuara kanë patur si fokus kryesor konstatimin e problematikave në sistemin e drejtësisë dhe rekomandimin e zgjidhjeve, të cilat pritet t’i shërbejnë përmirësimit të punës së prokurorive dhe gjykatave. Rekomandimet e dala në përfundim të këtyre inspektimeve i kanë shërbyer përmirësimit të funksionalitetit të gjykatave dhe zyrave të prokurorive në shërbim të dhënies së drejtësisë ndaj publikut.

Të nderuar kolegë,

Në një kohë kur pritshmëritë e publikut janë të larta dhe sfidat në rritje, detyra jonë e përbashkët është të ndërtojmë një kulturë të vlerësimit të drejtë dhe objektiv, të funksionimit të pushtetit gjyqësor, si dhe punës së magjistratëve. Në këtë aspekt vlen të theksohet se inspektimet tematike apo institucionale janë një nga mekanizmat më efektivë për ta bërë këtë objektiv realitet.

Ky është një proces kompleks dhe nuk mund të jetë vetëm objekt i veprimtarisë së Zyrës së ILD-së. Bashkëveprimi dhe bashkërendimi ndërmjet institucioneve të qeverisjes së sistemit të drejtësisë në identifikimin e çështjeve që afektojnë sistemin e drejtësisë dhe që duhet t`i nënshtrohen inspektimit është i qenësishëm. Në këtë aspekt bashkëveprimi dhe koordinimi ndërmjet institucioneve tona është i nevojshëm, jo vetëm në paraqitjen e propozimeve për kryerjen e inspektimeve tematike, por në vijimësi në fushat me impakt në veprimtarinë e magjistratëve.

Ky proces kërkon pikësëpari një vizion të qartë strategjik të të gjithë institucioneve tona mbi rëndësinë e zhvillimit të inspektimeve tematike apo institucionale. Kërkon një plan të mirëfilltë implementimi dhe zbatimi, apo një proces strikt monitorimi dhe zbatimi të rekomandimeve.

Në këtë kuadër, e vlerësoj aktivitetin e sotëm dhe besoj se ky do jetë vetëm fillimi i një procesi të gjatë bashkëpunimi në këtë drejtim, me qëllim angazhimin e të gjitha institucioneve tona për ndërtimin e një sistemi drejtësie, i cili i shërben në mënyrë dinjitoze qytetarëve dhe shoqërisë tonë.

Faleminderit!

të ngjashme

- Advertisement -spot_img

Më të lexuarat