Divorci një fenomen social që prek çdo shtresë shoqërore, gjen shtrirje të gjerë në jugun e vendit. Arsye të tilla si traditat, niveli ekonomik dhe urbanizimi copëzojnë hartën e divorceve në bashkitë të vendit. Të dhënat zyrtare mbi gjendjen civile zbulojnë kontrastesh të forta nga Saranda dhe Finiqi me rreth 26 divorce për çdo 1 000 banorë, deri në Hasi që mezi bëhen 3 divorce për 1 000 banorë. Mesatarja kombëtare rezultoi 11-12 divorce për 1000 banorë, teksa 28 bashki rezultuan mbi këtë mesatare.
Shkalla e divorceve është dukshëm më e lartë në jug dhe në qendrat urbane turistike, ndërsa veriu mbetet më konservator. Të dhënat tregojnë se Bashkitë e Finiqit, Sarandës, Delvinës, Korçës dhe Dropullit kanë shkallën më të lartë të divorcit për banorë. Në këto bashki rezultuan 22-26 divorce për 1000 banorë në kohën kur u zhvillua anketa.
Divorcet e larta në këto bashki lidhen me flukset e larta migratore dhe paqëndrueshmërinë që krijojnë flukset sezonale të turizmit. Në anketimin e zhvilluar në qytetin e Sarandës, arsye kryesore e krisjes midis çifteve është aventurat me turistët gjatë sezoneve verore. Kryesisht me turist dhe turiste nga vendet nordike, Anglia etj., të cilët janë më të hapur ndaj liberalizmit.
Në anën tjetër bashkia e Hasit ka numrin me të ulët me vetëm 2,9 divorce për 1000 banorë, e ndjekur nga bashkia e Pustecit me 4.3, Klosi me nga 5.3, divorce për 1000 banorë. Kultura tradicionale familjare shpjegon divorcet e ulëta kryesisht në Bashkitë e Veriut.
Bashkitë e mëdha si Tirana (17.6 divorce për 1000 banorë), Durrësi (15.8) dhe Fieri (15.5) kanë norma divorci rreth mesatares kombëtare, duke reflektuar dinamikën e metropoleve me urbanizim, rritje të pjesëmarrjes së grave në tregun e punës.
Të dhënat e divorceve sipas bashkive shtrojnë nevojën për më shumë shërbime sociale si mbështetje ligjore dhe ekonomike për prindërit e vetëm, veçanërisht në bashkitë me emigracion masiv.
Divorci ka pasoja të shumta sociale dhe ekonomike. Ndërprerja e të ardhurave të përbashkëta, ku zakonisht i vë gratë ne vështirësi ekonomike. Një seri kostosh shoqërojnë procesin e divorcit që nga gjyqet dhe ndarja e pasurisë, duke krijuar de- stabilitet financiar tek fëmijët. Anketa të tjera kanë treguar se fëmijët me prindër të divorcuar kanë arritje të ulëta mësimore, përqendrim të ulët dhe rrezik më të lartë për sjellje të rrezikshme në adoleshence.