19.7 C
Tirana
Wednesday, May 14, 2025

Ankesa e Veliajt për prokurorin Ols Dado mbërrin në ILD (Procedura e shqyrtimit. A ndryshohet masa e arrestit?)

Pas ditësh rrëfime në facebook, për të shprehur pakënaqësinë e tij në lidhje me hetimin e zhvilluar ndaj tij nga prokurori i SPAK, Ols Dado, kreu i Bashkisë Tiranë më në fund ka vendosur të ndjekë rrugë ligjore duke bërë ankesë tek Inspektori i Lartë i Drejtësisë.  Ankesa e bërë publike nga vetë Veliaj, ka mbërritur sot dhe është administruar sipas procedurave ligjore. Pas administrimit të ankesës Inspektori i Lartë i Drejtësisë, obligohet nga ligji nr. 96/2016 “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar, dhe ligji nr. 115/2016 “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”, i ndryshuar, të shqyrtojë ankesën dhe të njoftojë për çdo vendim që do të merret mbi këtë ankesë.

Ligji parashikon trajtimin e ankesës duke kaluar disa etapa:

-Konfirmimi i marrjes së ankesës brenda 5 ditëve nga administrimi i saj. Ligji parashikon që ILD i dërgon konfirmimin me shkrim të marrjes së saj ankuesit.

-Shqyrtimi fillestar dhe verifikimi. Ky proces siguron që ankesa plotëson kushtet e vendosura në ligj për të qenë e pranueshme dhe ka të bëjë me verifikimin e pretendimeve në ankesë, nëse ka të dhëna të paplota apo të paqarta.

-Hetimi disiplinor. Kjo faze ndodh nëse ka të dhëna që nuk justifikojnë arkivimin e çështjes, kalohet në hetim disiplinor. Ky proces është më i thelluar, sepse përveç marrjes së të dhënave do bëhet edhe analizimi I tyre për të parë nëse ka dyshime të arsyeshme se shkelja mund të jetë kryer. Ligji ka parashikuar një afat prej 6 deri në 9 muaj për hetimin disiplinor.

-Procedimi disiplinor. Nëse nga hetimi nuk ka arsye për arkivim, por ka dyshime të provueshme se ka shkelje disiplinore, hartohet një raport hetimi ku renditen faktet bashkë me masën disiplinore të propozuar dhe i dërgohet KLP nëse magjistrati është prokuror dhe KLGJ nëse magjistrati është gjyqtar.

Vlen të theksohet se Kushtetuta dhe ligjet e reformës në drejtësi e kanë shkruar të zezën në të bardhë që Inspektori i Lartë i Drejtësisë nuk ka autoritet për të shqyrtuar apo ndryshuar vendimet e magjistratëve. Ato thotë qartazi Kushtetuta shqyrtohen nëpërmjet instrumenteve të apelimit gjyqësor, vetëm nga gjykatat më të larta.

Inspektori i Lartë i Drejtësisë heton shkeljet disiplinore, që magjistratët mund të kryejnë gjatë ushtrimit të funksionit të tyre ose jashtë tij. Pra, Inspektori i Lartë i Drejtësisë nuk ka asnjë autoritet, që të ndikojë tek gjyqtari apo prokurori, sa i përket vendimmarrjes të sistemit gjyqësor. Vendimmarrja e prokurorit konfirmohet ose ndryshohet nga gjykata, ndërsa vendimmarrja e gjykatës mund të konfirmohet ose ndryshohet vetëm nga një gjykatë më e lartë” paragrafi i cituar më sipër është thelbi i reformës në drejtësi i miratuar me 140 vota nga Kuvendi i Shqipërisë në vitin 2016.

Institucionet e drejtësisë përkundër presioneve politike dhe publike arritën të tregojnë pjekuri në menaxhimin e situatës, duke e futur procesin në rrugë ligjore.  

të ngjashme

- Advertisement -spot_img

Më të lexuarat